“SHISH, asnjë informacion për Artan Kokën”

26/12/2012 00:00

Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka dhënë asnjë informacion për plagosjen në mënyrë të dyshimtë të oficerit të tij, Artan Koka, brenda rrethimit të institucionit në muajin dhjetor të vitit 2011.

Gazeta “Shqip” mëson se nga hetimet njëvjeçare të Prokurorisë së Tiranës nuk u arritën të merreshin të dhëna të rëndësishme nga SHISH për këtë ngjarje, ndërsa janë dëgjuar vetëm disa dëshmitarë, të cilët kanë treguar se “ngjarja ishte aksidentale”.

Megjithëse është një institucion i rëndësisë së veçantë, presupozohet që godina të ketë një sistem kamerash, brenda dhe jashtë rrethimit të godinës, duke dokumentuar me pamje të gjitha lëvizjet e dyshimta. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur me rastin e Artan Kokës, i cili ka marrë një goditje të rëndë në kokë, e për pasojë, është në gjendje kome.

Hetimet e prokurorisë nuk kanë zbardhur autorin apo mjetin me të cilin është shkaktuar kjo goditje, ndërsa kanë marrë edhe raportin mjeko-ligjor, i cili ka lënë të kuptohet se ngjarja nuk ka qenë aksidentale, por dyshohet me dashje.

Hetuesit e çështjes verifikuan çdo detaj nga ky procedim penal, veçanërisht dëshmitë e familjarëve dhe të dy personave që e kishin çuar në shtëpi, në gjendje shumë të rëndë. Megjithatë, asnjë prej dyshimeve të familjarëve nuk është vërtetuar e për pasojë, prokuroria duke mos pasur asnjë bashkëpunim me Shërbimin, ia ka referuar çështjen policisë “për zbulim autori”.

“Procedimi penal për plagosjen e oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Artan Koka, është pezulluar. Nëse policia gjen prova të reja, atëherë çështja do të rihetohet”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila shton se u hetua në dy pista, aksident në punë dhe tentativë vrasje.

Në fillim të këtij viti, bashkëshortja e Artan Kokës bëri denoncim në polici dhe prokurori, ndërsa disa hetues nisën veprimet e para duke marrë në pyetje familjarët dhe disa kolegë të tij. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka parë aksidentin e oficerit të SHISH, duke deklaruar në prokurori “se më thanë se kishte pirë alkool”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB