PS vijon së insistuari në pasjen e një përgjigje nga femijët e kryeministrit Berisha, Argita e Shkëlzen Berisha, se si ata kanë munduar të fitojnë pasurinë e deklaruar.

Fillimisht deputeti Taulant Balla i bëri një përllogaritje të thjeshtë shumave të përfituara nga Argita Berisha, e cila në deklarimin e pasurisë thotë se këto para janë përfituar nga mësimdhënia.

”Vajza e Kryeministrit të vendit, Argita Berisha ka deklaruar se ka fituar 146 milionë lekë vitin e shkuar, vetëm nga mësimdhënia. Pra vetëm si mësuese, apo pedagoge, vajza e Kryeministrit ka një pagë më shumë se 12 mijë dollarë në muaj, llogaritur kjo për 12 muaj në vit, jo për 9 muaj vit shkollor.  Në Shqipërinë e varfër që ka nevojë për një rilindje të vërtetë dhe ku mësuesia është ende një profesion i keqpaguar, vetëm sipas përllogaritjeve bazuar mbi tarifat normale që paguajnë universitetet private, del se Argita duhet të japë 4867 orë mësim në vit, ose 22 orë në ditë që të justifikojë pagën 146 milionë lekë në vit. Kjo nuk është as akuzë dhe as shpifje, por thjesht një llogari logjike. Llogari që e mohojnë vetëm bllokmenët e rinj blu”, akuzoi Balla.

Përballë kësaj situate kur opozita nuk merr përgjigje nga fëmijët e kryeministrit Taulant Balla kërkoi dorëheqjen e kreut të qeverisë.

”Ne jemi duke bërë atë që opozita bën kudo në botën demokratike dhe nëse fëmijët e Kryeministrit nuk kanë përgjigje, atëherë babi duhet të dorëhiqet siç kanë bërë shumë qeveritarë në Europë e Botë. Por, nëse fëmijët e Kryeministrit vazhdojnë të fshihen pas baltës, pushtetit të babit dhe gjyqeve të ushtarëve të babit, është në të drejtën tonë dhe të të gjithë shqiptarëve të ndershëm të besojmë se kjo është një provë flagrante e rënies së shtetit para interesave private të bllokut blu”.

Sipas Ballës, e vetmja përgjigje që opozita ka marrë gjatë këtyre ditëve ka ardhur nga zëdhënsja e PD-s për të cilën deputeti Balla, tha se të tilla sqarime thjesht hedhin baltë mbi opozitën duke mos thënë asgjë për çështjet e ngritura.

Top Channel