Posti i kryeministrit mbetet i panegociueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga kryeministri aktual Hashim Thaçi.

Vetëm një ditë pasi Thaçi iu përgjigj negativisht kërkesës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj për t’u bërë kryeministër, edhe zëvëndësi i tij në parti e qeveri, Hajredin Kuçi, thotë se nuk ka çka t’i shtojë deklaratës së kryeministrit, i cili ndër tjerash ka mirëpritur vullnetin e AAK-së që të hyjë në bashkëqeverisje.

“Po zakonisht kur flasin të tjerët kryeministri i korrekton, ndërsa kur flet kryeministri ne të tjerët nuk e korrektojmë”, deklaroi Kuçi. Por në lidhje me atë se a mund të pritet një riformatim i qeverisë, Kuçi tha se pritet një bashkëpunim mes PDK-së dhe AAK-së.

Po ashtu, Kuçi mohoi mundësinë që të kryejë detyrën e zëvëndëskryeministrit nëse postin e kryeministrit do ta kishte ndonjë parti tjetër përveç PDK-së.

“Këto janë pyetje subjektive personale. Unë besoj që të gjithë e dini që jam munduar të bëj punën me shumë drejtësi dhe do të mundohem ta kryej atë, por pak edhe me dinjitet. Në momente të caktuara edhe më të theksuara, unë pak njerëz në Kosovë pranoj për të qenë zëvendës”, theksoi Kuçi.

Këto komente zëvëndëskryeministri Kuçi i bëri të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës. Vetë kryeministri informoi kabinetin qeveritar se marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit është duke u zbatuar me sukses në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdarë dhe Jarinjë, dhe përsëriti se më 31 dhjetor kjo marrëveshje do të fillojë të zbatohet edhe në dy pikat e tjera kufitare, në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë.

“Prandaj, gradualisht, mund të them lirisht se pikat doganore dhe kufitare me Serbinë do të funksionalizohen dhe do të hyjnë në një proçes për herë të parë normal, të funksionimit ndërshtetëror mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Gjatë kësaj mbledhjeje janë miratuar disa projektligje, si dhe plani vjetor i punës së qeverisë së Kosovës për vitin 2013, që sipas zyrtarëve ka si prioritet zhvillimin ekonomik dhe partneritetin europian.

Top Channel