Opozita: Shërbimet sekrete jashtë kontrollit

26/12/2012 00:00

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, në intervistën dhënë për gazetën “Shqip” jep alarmin për kthimin e strukturave kryesore të shërbimit inteligjent në një polici partiake të Kryeministrit Sali Berisha.

Gjoni jep raste konkrete ku SHISH po del nga kontrolli, duke përgjuar aktivitete politike, grevën e ish të përndjekurve dhe madje dhe protestat e banorëve për CEZ-in. Për deputetin e PS-së, të gjitha shërbimet sekrete SHIU, SHISH dhe SHKB janë prej kohësh jashtë kontrollit parlamentar.

“Asnjë prej tyre nuk mbikëqyret a monitorohet. Lëvizjet e bëra rishtazi jo vetëm që kanë sjellë amulli, por nga çka kemi konstatuar prej atyre pak të dhënave zyrtare në dispozicion, vërejmë se ka një mungesë të frikshme profesionalizmi, si dhe tendencë për t’i vënë këto shërbime nën kontrollin e partisë shtet. Kështu, pa pasur frikë se nxjerr ndonjë sekret shtetëror, nuk mund ta justifikoj praninë e SHISH gjatë grevës së urisë të të përndjekurve politikë, prani e justifikuar prej drejtorit të sapozgjedhur me ‘motive të sigurisë kombëtare’”, deklaron Gjoni.

Deputeti Gjoni thotë se PS-ja do të paraqesë si nismë të saj në janar draftin për mbikëqyrjen parlamentare, si dhe do të thërrasë për raportin në komision një seancë dëgjimore me Njësinë e Inteligjencës Financiare, organi që merret me hetimin e parave e transfertave bankare të dyshimta nxitur nga raporti i fundit i GFI.

Intervistën e plotë të zotit Gjoni mund të gjeni tek gazeta Shqip.

Top Channel