Një person i armatosur në shtetin verior të Nigerisë, Yobe, ka vrarë të paktën 6 të krishterë, ka bërë të ditur ushtria dhe zyrtarë lokalë. Ata panë se një kishë në fshatin Peri, pranë Potiskum, kryeqyteti ekonomik i Yobe, mori flakë gjatë një sulmi mbasditen e ditës së Krishtlindjes.
Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër këtë sulm, deri tani. Grupi militant islamik “Boko Haram” ka vënë nën objektiv një numër kishash në veri të Nigerisë, që prej 2010-s. Ky grup ka vrarë me qindra vetë, gjatë fushatës së tyre për të vendosur ligjin Sharia.
Një seri sulmesh me bomba, të marra përsipër nga ky grup, në të gjithë vendin për Krishtlindjen e vitit 2011, përfshi edhe 2 shërbesa kishtare për Krishtlindje, kanë lënë rreth 40 persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.
Kreu i Rrjetit të Drejtësisë, grup për të drejtat e njeriut, Zakari Adamu, tha për BBC se personi i armatosur sulmoi gjithashtu edhe të krishterët, gjatë shërbesës në Meshën e mesnatës.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se pastori i kishës, një degë e Kishës Evangjeliste të Afrikës Perëndimore (ECWA), është mes të vdekurve.
Zëdhënësi i ushtrisë, Eli Lazarus, tha për Reuters se 6 persona u vranë në dhunën e shfaqur, kur “një i armatosur i panjohur u përpoq të sulmonte Postikum-in, por u zmbraps nga trupat ushtarake”.
Top Channel