Kreditë e marra për rehabilitimin e katër hidrocentraleve që qeveria ka nxjerrë në shitje do të shlyhen nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare.
Mbi 23 milionë euro borxhe të përdorura si investime në hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe dy Bistricat, do të shlyhen nga kompania publike KESH.
Privati do t’i marrë me llogari zero, pa asnjë detyrim edhe pse këto borxhe janë përdorur për të rehabiluar plotësisht hidrocentralet në prag te privatizimit.
Kjo nuk është hera kur qeveria i shet asetet publike në këtë mënyrë. Edhe kur privatizoi kompaninë e shpërndarjes së energjisë ajo ndoqi të njëtën skemë.
Të gjitha borxhet e OSSH në atë kohë ju kaluan koorporatës publike të prodhimit të energjisë. Rezultati në të dy rastet është i njëtë, privatizim i përfitimeve, kalim i humbjeve tek qytetarët, përmes rënimit financiar të koorporatës publike të prodhimit të energjisë.
KESH do të shlyejë borxhet e marra për katër hidrocentralet, ndërkohë që nuk do të mund të arkëtojë dot asnjë të ardhur prej tyre, pasi ato tashmë i kalojnë privatit që i blen.
Në tenderin e zhvilluar pak ditë më parë nga Ministria e Ekonomisë, oferta më e lartë për të katër hidrocentralet së bashku ishte rreth 109.5 milionë euro.
Por, mbi 21 për qind e çmimit është borxh. Shlyerja e tyre, që tashmë do të bëhet nga paratë e KESH ose buxhetit, e ul çmimin në në vetëm 86.5 milionë euro.
Pak më shumë se 1 milionë euro për megavat të instaluar, kur vetëm pak muaj më parë HEC-in e Lanabregasit, me fuqi 5 mega ia shiti ndërmarrjes së ujësjellësit 15 milionë euro, tre herë më shtrenjtë për çdo mega të instaluar.
Top Channel