Edhe “Starbucks” kundër “humnerës fiskale”

26/12/2012 19:15

Edhe “Starbucks” angazhohet kundër “fiscal cliff” për të shmangur pasojat katastrofike që mund të shkaktojë kjo “humnerë”.

Vetë shefi i zinxhirit të famshëm të kafesë, Howard Schultz, u ka drejtuar një apel kamarierëve të 120 pikave të shitjes në zonën e Uashingtonit.

Schultz ka kërkuar që ata të shkruajnë mes së enjtes dhe së premtes frazën “Come together” në gotat prej kartoni para se t’ua dorëzojnë klientëve.

E enjtja dhe e premtja janë ditët kryesore të ndërmjetësimit mes demokratëve dhe republikanëve për votimin e propozimit të presidentit Obama.

I ndodhur përballë rezistencës së fortë të republikanëve, që kundërshtojnë taksën progresiste për të pasurit, Obama propozoi pak ditë më parë një mini-pakt fiskal, për të shmangur rritjen e taksave për 98 për qind të amerikanëve.

Presidenti amerikan u shpreh i gatshëm për një marrëveshje të tillë, por propozoi edhe një masë të fortë, që Kongresi të aprovojë një normë që nuk lejon rritjen e kuotave fiskale për shumicën e amerikanëve.

Por propozimi u kritikua menjëherë nga republikanët. “Obama ka dështuar. Ai nuk paraqiti një zgjidhje për “humnerën fiskale””, deklaroi zëdhënësi i Dhomës, John Boehner.

Presidenti e prezantoi propozimin e tij pak para nisjes për në Hauai, ku po qëndron aktualisht, për t’u kthyer pas Krishtlindjeve, kur edhe anëtarët e Dhomës dhe Senatit do të kthehen në punë.

Një minimarrëveshje do të mundësonte mbrojtjen e ekonomisë amerikane të tkurrur nga konsumi, ndërsa pa një marrëveshje amerikanët do të përballen me një rritje të taksave prej 2.200 dollarësh.

Gjithashtu, kjo do të sjellë pasoja edhe më të rënda mbi konsumin, që përbën dy të tretat e GDP-së amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA