Argita Berisha, pagë Harvardi

26/12/2012 00:00

Pak kohë më parë, gazeta prestigjoze “New York Times” botoi një artikull provokativ mbi universitetet që japin pagat më të larta për profesorët.

Lista kryesohet nga universiteti i mirënjohur i Harvardit, ku një profesor me kohë të plotë fiton mesatarisht 191 mijë e 200 dollarë në vit.

Më pas renditja vazhdon me universitetin e Kolumbias, atë të Cikagos dhe në vendin e dhjetë qëndron ai i Pensilvanisë, ku një pedagog me kohë të plotë fiton mesatarisht 170 mijë dollarë në vit.  

Kjo ishte lista e shkolave private. Në universitet publike pagat janë më të ulëta. Në krye të listës së tyre qëndron instituti i teknologjisë së Nju Xhersit, ku një profesor me kohë të plotë fiton rreth 151 mijë dollarë në vit, ndërsa në vendin e dhjetë është universiti i Ratxhersit në Kamden, ku paga vjetore e pedagogëve është 137 mijë dollarë.  

Pagat e profesorëve shndërrohen jo rrallë në objekt të debateve publike në Shtetet e Bashkuara, pasi shpesh ato etiketohen si një nga faktorët që mbajnë lartë kostot e arsimimit për amerikanët.

Në Shqipëri problemi nuk ekziston, pasi realiteti është shumë i ndryshëm. Paga e një profesori shqiptar në universitetet publike nuk e kalon shifrën 8 mijë dollarë në vit. Diferenca me Shtetet e Bashkuara është e dukshme, mbi 20 herë, por jo gjithmonë.

Prej disa ditësh opozita ka vënë në qëndër të denoncimeve të saj, pasurinë e kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij. Duke referuar shifrat në deklarimin zyrtar të pasurisë, rezulton se vajza e kryeministrit ka fituar nga mësimdhënia në shkollat e vendit, publike apo private rreth 146 mijë dollarë vitin që kaloi.

Me këto shifra, zonja Berisha qëndron në mënyrë komode në listën e profesorëve më të mirëpaguar amerikane, që japin mësim në shkollat më prestigjoze të botës.

Sërish, ky krahasim është në shifra nominale, pasi po të përkthehet sipas fuqisë blerëse dhe të ardhurave mesatare për frymë,  një pagë 146 mijë dollarë për një profesor shqiptar e vendos atë automatikisht në majën e piramidës së pagave për këtë profesion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB