Pritë zjarrëfikësve në New York, 2 të vdekur

25/12/2012 03:30

Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ende të freskët ngjarjen e hidhur të Newtown-it, në Connecticut, dhe ndërsa debati për armët po intensifikohet, një ngjarje e rëndë u regjistrua në Webster, në New York.

Në shënjestër të armës kanë qenë zjarrëfiks vullnetarë, të cilët iu përgjigjën një telefonate, që kërkonte ndihmë. Kjo ndodhi pak para orës 6, me orën lokale, në një banesë të Webster-it.

Vrasësi, 62-vjeçari William Spengler, u gjet i vdekur, pasi kishte qëlluar veten. Sipas policisë, ai kishte një dosje kriminale; kishte përfunduar dënimin prej 17 vjetësh, i akuzuar për vrasjen e gjyshes.

Spengler i kishte vënë flakën një makine dhe një shtëpie për të afruar fqinjin në shtëpinë e tij. Pasi morën telefonatën, që kërkonte ndihmë për shuarjen e zjarreve, me të mbërritur, katër zjarrëfikësit ranë në pritën e vrasësit.

Fill pas kësaj ka mbërritur policia dhe pas një shkëmbimi zjarri, Spengler vrau veten.

Motra e vrasësit, 67-vjeçarja Sheril rezulton e humbur. Sipas policisë, ajo mund të ketë humbur jetën nga zjarri, që shkrumboi shtatë shtëpi.

Dy viktimat janë Tomasz Kaczowka dhe Mike Chiapperini, ndërsa dy të plagosurit Joseph Hofsetter dhe Theodore Scardino.

Guvernatori i New York, Andrew Cuomo, përmes një deklarate e cilësoi këtë një akt të pakuptimtë. Webster është një zonë e banuar nga shtresa e mesme.

Më 7 dhjetor, ky qytet ishte arenë e një tjetër ngjarje të rëndë; një djalë 15-vjeçar i vuri flakën shtëpisë, duke shkaktuar vdekjen e të atit dhe dy vëllezërve të tij, 16 dhe 12 vjeç. E ëma dhe motra 13-vjeçare mundën të shpëtojnë.

Top Channel