Opozita maqedonase do të mundohet të rrëzojë nga pushteti kryeministrin Nikolla Gruevski përmes protestave dhe bllokimit të rrugëve. Pas ngjarjeve të dhushme që ndodhën një ditë më parë në Parlament gjatë miratimit të buxhetit, lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski tha  se, opozita nuk i njeh më institucionet e vendit dhe bëri thirrje për mosbindje qytetare.

Cërvenkovski paralajmëroi se do t’i kundërvihet në mënyrë të menjëhershme pushtetit diktatorial të kryeministrit.

“Aktivitet tona fillojnë prej sonte. Në ditën në vijim do të bllokojmë rrugët në të gjitha qytetet, ndërsa të shtunën do të organizojmë një protest të madhe në Shkup para selisë qëndrore të partisë maqedonse në pushtet VMRO-DPMNE.  Kjo është logjike nëse kemi parasysh se kjo parti ka uzurpuar shtetin dhe e ka shëndrruar atë në shtet partiako-policor. Qëllimi kryesor i gjithë asaj që do të bëjmë në periudhën e ardhëshme është që të kthjemë rendin kushtetues dhe demokracinë në vend. Për të ndodh kjo, duhet të ik ky regjim totalitar”, deklaroi Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.

Lidhur me ngjarjet e dhunshme dhe miratimin e buxhetit shtetëror vetëm me votat e mazhorancës ka reaguar edhe një grup intelektualësh shqiptarë nga Shkupi.

“Kemi vërejtur padrejtësinë që është bërë ndaj shqiptarëve, mungesën e hapësirës mediale të mjaftueshme në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe shkallën e ulët të përfaqësimit legjitim politik të shqiptarëve në Maqedoni. Andaj, kemi vendosur të distancohemi nga deputetët shqiptarë prezent në seancën ku u votua buxheti dhe nga gjithë përfaqësuesit politik shqiptar”, thotë Elida Zylbehari, gazetare.
Pas ngjarjeve të një dite më parë, partia shqiptare në pushtet BDI, i ka bërë thirrje opozitës maqedonase që të ulë tensionet. Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga partia e Ali Ahmetit thuhet se konfrontimet politike në asnjë mënyrë nuk guxojnë të kërcënojnë funksionet themelore të shtetit si dhe mirëqënien e qytetarëve.

Ndërkohë, ka reaguar edhe presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, i cili ka shprehur keqardhje për ndodhitë e një ditë më parë duke thënë se ngjarjet e të tilla nuk duhet të përsëriten.

Top Channel