Lufta civile, OKB bisedon me Assad

24/12/2012 00:00

I dërguari i OKB-së për paqen në Siri, Lakhdar Brahimi, mbërriti ditën e hënë në Damask për bisedime me presidentin Bashar al-Assad.

Lëvizja e tij konsiderohet si tentativa më e fundit e OKB-së për të gjetur një zgjidhje politike për përfundimin e konfliktit të përgjakshëm, i cili i ka marrë jetën rreth 45 mijë sirianëve që prej marsit 2011.

Në deklaratën e tij pas takimit të së hënës, Brahimi tha për mediat ndërkombëtare se bisedimet u përqendruan rreth “hapave të shumta që do të ndërmerren në të ardhmen”, por pa përcaktuar se cilat ishin konkretisht këto hapa.

“Kemi shkëmbyer opinione për hapat, që do të ndërmerren në të ardhmen dhe Presidenti foli për vizionin e tij për situatën. Fola se çfarë kam bërë në vende të tjera, intervistat që kam dhënë në disa qytete, me zyrtarë të ndryshëm në rajon dhe jashtë tij, dhe gjithashtu për hapat, që unë dua të shoh në ndihmë të popullit sirian, për të dalë nga kjo krizë”.

Kjo është ndalesa e tij e tretë në kryeqytetin sirian prej muajit gusht, kur u zgjodh në krye të misionit negociues, i cili deri tani nuk ka shënuar progres. Brahimi mbërriti në Siri nga Bejruti, të dielën. Aeroporti i Damaskut ishte mbyllur për shkak të luftimeve.

“Situata në Siri është ende shqetësuese. Ne shpresojmë, që të gjithë palët të punojnë drejt një zgjidhjeje, që kërkohet nga populli sirian”.

Siç raportoi agjencia e lajmeve Sana, presidenti Assad shprehu mbështetjen për “çdo përpjekje në interes të popullit sirian, që ruan sovranitetin dhe pavarësinë e vendit”.

Takimi i së hënës erdhi 24 orë pasi nga bombardimet e avionëve ushtarakë në provincën e Hamës u qëllua një fabrikë buke, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 90 personave.

Së fundmi, lufta civile në Siri është intensifikuar, ndërsa kryengritësit kanë fituar një seri betejash dhe territoresh, duke bërë që të flitet gjithmonë e më shumë rreth një fitoreje të afërt të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB