Arsyeja kryesore përse njerëzit zgjedhin të shkojnë në pub-e apo lokale nate është dëshira për tu argëtuar dhe kërcyer. Në vende të tilla muzika është gjithmonë e zgjedhur për të motivuar lëvizjen.

Njerëz nga të gjitha moshat, por kryesisht të rinj, nuk i ndahen jetës së nates as në këto ditë të ftohta dhjetori. Të gjithë pas një sllogani: “na bashkoi dëshira për të kërcyer”. Mes njerëzve janë të paktë ata që duket se kryejnë lëvizjet e duhura në sinkron me muzikën në sfond. Arsyeja është e thjeshtë: jo të gjithë i njohin detajet e kërcimit.
Ndërkohë, nuk mund të flitet për një lloj të veçantë kërcimi sepse edhe preferencat muzikore dallojnë në varësi të lokaleve. Një nga gjinitë më të veçanta të artit të kërcimit është “street dance”. Shumëkush mund të ketë parë edhe filmin me të njëjtin emër. Mesazhi është i qartë: asnjë kërcim nuk është mbizotërues ndaj të tjerëve dhe të gjitha bashkë arrijnë të bëjnë performancë mbresëlënëse.

Edhe në vendin tonë ka të apasionuar të shumtë pas kësaj rryme. Zakonisht gjatë mbasditeve janë të shumtë të rinjtë që praktikojnë këtë displinë. Megjithëse nuk kanë asnjë lidhje me baletin, ata duket sikur e njohim shumë mirë këtë pjesë të artit. Në këtë grup, më e vogla është Lora. Edhe pse vetëm 10 vjeçe, ajo i aplikon më së miri pjesët e saj të koreografisë.

“Më pëlqen kërcimi sepse ka ritëm, ndërsa baleti nuk më pëlqen dhe aq shumë”, deklaron Lora.

Hip-hopi i bashkuar me “street dance” i shoqëron këta të rinj në pasditet e tyre. Arnold Shima prej vitesh ndjek kurset e kërcimit. Megjithëse ka provuar shumë rryma, tregon arsyet përse vendosi të qëndroje në “street dance”: “Është stili i të fortit. Në lokale bëjmë një rreth dhe secili tregon atë që di të bëjë.”

Megjithëse një kërcim më i përshtatshëm për meshkuj, as femrat nuk mbeten pas. Ada Gumo, prej 4 vitesh aplikon disiplina të ndryshme të kërcimit. 19-vjeçarja e kthyer nga Greqia është shumë e dashuruar pas dance-it dhe premton që nuk do të heqë dorë asnjëherë: “Ka më shumë lëvizje dhe i përshtatet më shumë stilit tim.”

Këta janë vetëm disa nga të rinjtë e apasionuar pas muzikës, kërcimit. Ata mund të quhen artistë amatorë.

Ritmi që bën bashkimin

Mund të jetë një vallëzim ceremonial, ndonjë kërcim latin me disa hapa erotike, pse jo edhe një lundrim i lirë në klabe. Të gjithë janë joshës dhe çdonjëri mund të jetë një motiv për të bërë bashkë dy a më shumë njerëz.

Kërcimi është një prej atyre tundimeve që nuk u shpëton dot lehtë pasi bie në “kurthtin’ e tyre një herë. E ku ka më bukur se sa një robërim i ëmbël me muzikë, hapa ritmikë dhe të pasurit pranë persona që përveç afeksionit, të bën bashkë me ta një pasion i njëjtë.

Nuk ka rëndësi nëse je profesionist apo jo kur kercen një tango, ça-ça-ça apo rumba, rëndësi ka ta ndjesh dhe të të argëtojë ajo që bën. Dhe në të tillë argëtimesh nuk ka komplekse sepse profesionistët dhe amatorët nuk ekzistojnë. Janë të gjithë njësoj dhe me pasionin për të mësuar e ndarë kërcime shuhen edhe komplekset.

Kur dashuron një rrymë dhe një zhanër të caktuar vallëzimi, ke gjithmonë një arsye për të tërhequr dikë të veçantë pranë vetes. Është një motiv për të krijuar miq e për të frekuentuar rrethe e mjedise të përbashkëta, është ndjellja më e ëmbël për të shkarkuar emocione e për të ndarë me njerëz të ndryshëm të njëjtin pasion: dëshirën për të kërcyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA