Itali, vritet shqiptari, plagoset një tjetër

24/12/2012 00:00

Një shtetas shqiptar është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë në një sulm me armë zjarri të kryer mbrëmjen e së dielës në provincën San Severo të Foxhias, në Itali.

Dy shqiptarët ndodheshin në bordin e një automjeti të cilit i është afruar një tjetër veturë, nga e cila kanë vërshuar plumbat, bëjnë të ditur mediat italiane.

Personi i plagosur është shtruar në spitalin lokal, ndërkohë që karabinierët kanë nisur hetimet, të koordinuara nga zyra e prokurorit të qytetit të rajonit të Pulias.

Gjithësesi, dyshimet e para bien për ndonjë hakmarrje personale, ose për ndonjë larje hesapesh mes bandave shqiptare.

Më herët gjatë muajit, një 21-vjeçar shqiptar humbi jetën në vendin fqinj, për shkak të një zënke për motive banale në qytetin e Firences.

Një grup shqiptarësh u përfshinë në sherrin e ndodhur jashtë një diskoteke në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit.

Si pasojë e plagëve të mara gjeti vdekjen në spital Shahin Tushe, emigrant shqiptar me leje të rregullt qëndrimi dhe punësimi në Itali.

Policia italiane nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht dyshohej se shkak i përleshjes mes dy grupeve ishte bërë një femër.

Top Channel