Britani, Thatcher kalon Krishtlindjen në spital

24/12/2012 15:35

“Zonja e Hekurt” e Britanisë së Madhe, ish-kryeministrja Margaret Thatcher, do ta kalojë Krishtlindjen në një spital, pas një operacionit të cilit iu nënshtrua javën e shkuar.

Duke cituar burime mjekësore, “Associated Press” siguroi se gjendja e 87-vjeçares është e mirë, por mjekët duan që të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë ekzaminime të tjera pas heqjes së suksesshme të një mase të dyshimtë në fshikëzën e urinës.

Kryeministrja e vetme femër në historinë e Britanisë, Thatcher udhëhoqi qeverinë e Londrës midis viteve 1979-1990, kur drejtonte edhe Partinë Konservatore.

Ajo fitoi nofkën e “Zonjës së Hekurt” për ashpërsinë e saj personale dhe politike, për reformat që udhëhoqi dhe mënyrën se si përballoi disa sfida, midis të cilave edhe luftën e vitit 1982 me Argjentinën për sovranitetin e ishujve Falkland (Malvines në spanjisht).

Thatcher u tërhoq nga jeta publike pasi pësoi një infarkt në vitin 2002 dhe që prej atëherë ka vuajtur nga probleme të rënda kardiake, me disa goditje të tjera në zemër.

Si rrjedhojë e problemeve shëndetësore, Thatcher e pati të pamundur që të ishte pjesëmarrëse në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e saj të lindjes, në tetor 2010.

Top Channel