Siria ka grumbulluar të gjithë arsenalin e saj të armëve kimike në dy baza të mbrojtura mirë nga ushtria kombëtare, deklaroi Ministria e Jashtme Ruse ditën e dielë.
Më përpara, Damasku mbante arsenalin e tij të madh të armëve kimike në rajone të ndryshme të vendit, por mundësia e rënies së këtyre armëve në duart e gabuara duket se po merret gjithmonë e më seriozisht nga presidenti Bashar al-Assad, sidomos në një moment kur sinjalet për fitoren e kryengritësve janë duke u shtuar vazhdimisht.
Ndërsa lufta civile po i afrohet përfundimit të vitit të saj të dytë, rebelët kanë aktualisht pozitat më të forta në të gjithë këto 21 muaj.
”Për momentin, Siria është duke bërë maksimumin për të mbrojtur sa më mirë armët e saj të shkatërrimit në masë”, deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në agjensinë “Ria Novosti”.
”Ne kemi shprehur edhe më parë shqetësimin tonë për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve dhe Damasku i ka marrë seriozisht në konsideratë këto shqetësime”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate të NATO-s kanë paralajmëruar më parë se përdorimi i armëve kimike në luftën civile, që i ka kushtuar jetën të paktën 45 mijë sirianëve deri tani, do të përbente vijën e kuqe, përtej së cilës do të vijonte një ndërhyrje ushtarake që do të rrëzonte regjimin.
Top Channel