E shumëpritura konferencë e ish-kryeministrit, Mario Monti, i dha fund hipotezave të shumta dhe të larmishme për pozicionin e ardhshëm politik të ekonomistit, që drejtoi Italinë për gati një vit. Një vit, që ai e cilësoi si të ngjeshur por edhe shumë stimulues.
“Nuk do të jem kandidat për një parti të veçantë, meqenëse jam senator i përjetshëm, por nëse një ose disa forca politike, me një afërsi të besueshme në këtë plan timin të veprimit, do të shfaqnin interes të më kishin si kandidat për kryeministër, atëherë do ta merrja në shqyrtim këtë mundësi”, u shpreh Monti.
Duke iu referuar, ndoshta, kritikave të fundit të bëra kundër tij nga Silvio Berlusconi, i cili do të jetë për herë të shtatë kandidat për kryeministër, edhe pse pak kohë më parë pati thënë se do tërhiqej, Mario Monti vuri në dukje:
“Nuk duhet shkatërruar, ajo që është bërë me shumë sakrifica. Tani emergjenca financiare ka mbaruar dhe italianët janë sërish në Europë, me kokën lart. Nuk përdorëm ndihmat europiane dhe ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha ai.
Mario Monti, në përfundim të konferencës tradicionale të fundvitit, por që këtë herë pati profil tjetër për shkak të rrethanave politike, falënderoi presidentin e Republikës, Giorgio Napolitano.
Në fakt, ky i fundit ka qenë shumë aktiv dhe ka marrë vendime të prera e të shpejta. Vetëm një ditë pas dorëheqjes së Montit, ai nxori dekretin për shkrirjen e Parlamentit dhe kreu konsultimet me forcat politike në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, që do të zhvillohen më 24 dhe 25 shkurt të vitit të ardhshëm.
Top Channel