Aromë Krishtlindjesh në Vatikan

23/12/2012 21:00

Atmosfera e Krishtlindjes u ndje në ajër, në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, ku ishin mbledhur qindra pelegrinë për të dëgjuar leximin e Ungjillit, përpara festës.

Pas një shërbese lutjesh, nga dritarja e apartamentit të tij, Benedikti i XVI e shfrytëzoi këtë moment për të uruar të gjithë besimtarët katolikë, në disa gjuhë.

“Paraprakisht, më lejoni t’ju uroj juve dhe familjeve tuaja një Krishtlindje të Shenjtë dhe të paqtë”.

Në urimin në frengjisht, ai u këshilloi besimtarëve të mos përqendrohen në anën materiale të Krishtlindjes.

“Shkoni përtej shqetësimit të përgatitjeve të jashtme dhe sipërfaqësore, për të ndjekur Virgjëreshën Mari në heshtjen dhe meditimin e saj. Bashkë me të, le të përgatitemi të mirëpresim Shpëtimtarin. Ju bekoj me të gjithë zemrën time”.

“Ju uroj të gjithëve një Krishtlindje të lumtur, të madhërishme”.

Papa do të drejtojë meshën e madhe, mesnatën e së hënës, më 24 dhjetor, dhe do t’u drejtohet të gjithë popujve të botës me mesazhin e njohur si “Urbi et Orbi”, ditën e Krishtlindjes më 25 dhjetor.

Top Channel