Margaret Thatcher është duke u rikuperuar në spital, pas një operacioni për të hequr një masë tumoriale në fshikëz. Ajo u shtrua në një spital të Londrës, pasi vuante nga dhimbjet e barkut. Burime të afërta thanë se kushtet e saj shëndetësore nuk ishin të rënda, sa për të rrezikuar jetën.
Por, miq dhe politikanë të lartë janë duke monitoruar situatën, për shkak të moshës së saj dhe shëndetit të dobët. “Nuk ishte një proçedurë e vështirë, por ajo është 87 vjeç”, tha një burim i afërt me baroneshën. Është mësuar se Thatcher kreu një operacion me anestezi të përgjithshme, mbrëmjen e kaluar.
Një tjetër burim tha: “Ajo u shtrua në spital pas dhimbjeve të barkut, ka bërë edhe teste paraprake. Nuk është edhe aq i rrezikshëm për jetën, por çdo operacion është tepër serioz për dikë në moshën e saj”. Operacioni nënkupton se ish-kryeministrja do të kalojë periudhën e Krishtlindjeve në spital, duke u rikuperuar.
“Gjithçka varet nga aftësia e saj për t’u rikuperuar. Ajo është në duar të sigurta”, tha një tjetër burim. Disa miq, që e vizituan atë në fillim të javës, thanë se ajo ishte në “një formë të mirë”.
Zonja Thatcher ka vuajtur nga shëndet gjithnjë e më i dobët, përfshi edhe goditje të lehtë në tru, gjatë viteve të fundit. Ajo rrallë është parë në publik, pas problemeve me kujtesën e saj. Por, ajo vazhdon të mbetet e interesuar për politikat e konservatorëve, si dhe është vazhdimisht e pranishme në festat e organizuara nga Liam Fox, ish-sekretari i Mbrojtjes.
Top Channel