Moska refuzon ndërmjetësimin

22/12/2012 01:50

Rusia nuk ka për të qenë ndërmjetëse mes presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe atyre që kërkojnë largimin e tij nga pushteti.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, e bëri të qartë se Moska është lodhur nga të tilla pretendime.

“Ne nuk kemi hyrë në ndonjë biznes të ndryshimit të regjimeve. Disa prej faktorëve rajonalë vazhdojnë të na pyesin: ‘përse nuk i thonë presidentit Assad të largohet, do të rregullojmë ndonjë vend të sigurt për të’… Përgjigja ime është shumë e thjeshtë: nëse vërtet kanë këto mendime, përse nuk shkojnë e të flasin vetë me Assad-in? Përse duhet të na përdorin neve si postjerë? Nëse presidenti sirian është i interesuar, le ta diskutojnë drejtpërdrejtë me të”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Deklarata është shkëputur nga një intervistë e ministrit të Jashtëm rus, dhënë për televizionin shtetëror RT, e cila transmetohet pikërisht në ditën kur presidenti Vladimir Putin zhvillon bisedimet e tij të para me liderët e Bashkimit Europian, që prej rizgjedhjes në krye të Kremlinit.

Në këto bisedime, çështja e Sirisë, me të gjithë gjasat, do të shkaktojë debate. Zyrtarë të lartë të Nato-s, ndërkohë, thanë se ushtria siriane po vazhdon të përdorë raketa Skud kundër forcave anti-qeveritare.

Veprime të tilla, ata i përshkruan si “akte të një regjimi të dëshpëruar, që po i afrohet kolapsit”. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Anders Fogh Rasmussen, përdorimi i raketave me rreze të mesme veprimi dëshmon qartë se vendimi i Nato-s, për dislokimin e baterive Patriot në kufi me Turqinë, është mëse i justifikuar.

Top Channel