Indi, dhunohet 23-vjeçarja e marrë peng

22/12/2012 04:10

Zyrtarë të Indisë janë zotuar të ndërmarrin masa për të mbrojtur akoma më shumë femrat, pas pengmarrjes dhe dhunimit brutal nga një bandë, të studentes 23-vjeçare brenda një autobusi, në kryeqytet.

Policia ka arrestuar deri tani 5 persona në lidhje me sulmin e së dielës dhe deklaroi të premten se janë vënë në kërkim të një personi të gjashtë. Të dyshuarit akuzohen për përdhunim dhe përpjekje për të vrarë, teksa policia kërkon burgim të përjetshëm për autorët.
     
Studenjta u sulmua, pasi ajo dhe një shoku i saj po udhëtonin me një autobus të licencuar, në New Delhi. Zyrtarë thanë se një grup meshkujsh e përdhunuan atë dhe i goditën të dy viktimat me një shufër hekuri, më pas i zhveshën dhe i hodhën në rrugë. 23-vjeçarja mbetet e shtruar në spital, me dëmtime të rënda të brendshme.

Sekretari i Brendshëm indian, R.K. Singh, bëri të ditur gjatë së premtes një seri masash për të ndaluar dhunën e këtyre përmasave. Ai tha se licencat e shoferëve të autobusëve do të kontrollohen me imtësi, ndërsa autobusët me xhama të lyer apo të mbuluar do të pezullohen. Ndërkohë, do të vihen edhe oficerë policie të veshur civilë nëpër autobusë. Autoritetet do të godasin gjithashtu shoferët, që ngasin të pirë, si dhe ata persona që bredhin të pirë nëpër rrugët e New Delhi-t.

Qindra protestues në kryeqytetin indian marshuan drejt rezidencës presidenciale të premten, duke kërkuar masa të rrepta ndaj të akuzuarve të këtij sulmi, si dhe mbrojtje më të mirë të grave ndaj dhunës dhe ngacmimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA