Egjipt, dorëhiqet zv.presidenti

22/12/2012 21:55

Teksa egjiptianët po votojnë në raundin e dytë të referendumit për projekt/kushtetutën e kontestuar të promovuar nga presidenti Mohamed Mursi, në vend janë regjistruar zhvillime të reja.

Kështu, sipas informacioneve të fundit, kanë dhënë dorëheqjen njëri pas tjetrit zëvendëspresidenti Mahmud Mekky dhe guvernatori i Bankës Qëndrore Egjiptiane, Faruq el Hoqda.

Ky i fundit është dorëhequr për shkak të mosmarrëveshjeve me autoritetet e tjera shtetërore mbi vlerësimin e lirës egjiptiane.

Kundërshtarët e presidentit Mursi nuk e pranojnë draftin me argumentin se favorizon islamikët, aktualisht në pushtet dhe tradhëton revolucionin e vitit të kaluar që përmbysi Hosni Mubarakun.

Mbështetësit e presidentit nga ana tjeter këmbëngulin se kushtetuta do të garantojë demokracinë. Rreth 250.000 forca sigurie janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në rang kombëtar gjatë zhvillimit të referendumit.

Megjithatë, protestuesit kundër kushtetutës dhe islamikët konservatorë qëlluan njëri-tjetrin me gurë sot, duke detyruar qeverinë të përdorte gaz lotësjellës për t’i shpërndarë.

Pavarësisht dhunës, nuk pati raporte për të plagosur. Në raundin e parë pjesëmarrja në votime ishte e ulët, diku tek 30%.

Raporte jozyrtare tregonin se prej atyre që votuan, 56% ishin në favor të draftit. Rezultatet përfundimtare nuk priten përpara ditës së hënë dhe do të bëhen publike pasi të jenë shqyrtuar edhe ankesat.

Top Channel