Zjarrfikësit në Londër thërriten me Twitter

21/12/2012 00:00

Për të qenë me të njëjtin hap me teknologjinë e komunikimit, zjarrfikësit britanikë po mendojnë seriozisht të shfrytëzojnë rrjetet sociale për marrjen e informacioneve dhe ardhjes në ndihmë të qytetarëve.

Në Londër zjarrëfikësit po studiojnë seriozisht një sistem që do të revolucionarizonte punën e tyre: të presin kërkesat për ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale Twitter dhe Facebook.

“Me 1 miliard persona që përdorin Facebook dhe gjysmë miliardi që përdor Twitter është tejet e qartë se rrjetet sociale janë mjaft të rëndësishme sot. Ne jemi shërbimi zjarrfikës më i madh në vend dhe mendoj se është thelbësore që ne të përmirësojmë mënyrën se si presim thirrjet e emergjencës”, deklaroi zyrtarja e zjarrfikësve të Londrës, Rita Dexter.

Megjithatë ajo sqaroi se para se të dërgohet thirrja e emergjencës në Twitter apo Facebook, qytetarët duhet të braktisin më parë ndërtesën që ka rënë në zjarr.

Në fakt nuk do të ishte hera e parë që rrjetet sociale do të përdoreshin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste emergjencësh. Gjatë ditëve të katastrofës dhe shkatërrimit që la pas uragani Sandy në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, mijëra qytetarë kërkuan ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale gjë që rezultoi mjaft e suksesshme.

Top Channel