Pas publikimit të platformës së Serbisë, e cila synon autonomi territoriale për komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve, që të tërhiqen nga proçesi i dialogut me Serbinë.

Po ashtu, drejtues të Vetëvendosjes kanë kërkuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të deklarohen kundër platformës serbe.

Sipas Vetëvendosjes, qëllimi i Serbisë, përmes kësaj platforme, është krijimi i një ‘Republike Serbe’ brenda Kosovës dhe defunksionalizimi i shtetit të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë para mediave se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë në përputhje me deklaratat që i ka bërë, duke mos shkuar në takimin e 17 janarit të vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, drejtues të Vetëvendosjes e kanë vlerësuar “shkelje të kushtetutës”, lirimin nga dogana të mallrave me sasi 3,5 ton për serbët e veriut, gjatë festave të fundvitit, sepse sipas tyre, një pjesë e qytetarëve të Kosovës po trajtohen ndryshe nga pjesa tjetër.

Top Channel