Stamboll, ekzekutohet biznesmeni

21/12/2012 23:48

Ka mbetur i vrarë në një lagje të Stambollit biznesmeni turk Omer Satin, i cili sipas mediave vendase theksohet se është ortak në një rafineri nafte në Shqipëri.

Lajmi është publikuar nga e përditshmja Hurrijet dhe ajo Sabah, sipas të cilave sulmi me pistoletë është kryer afër një stacioni autobusi në lagjen Atakëj.

Biznesmeni 54-vjeçar ka dalë nga shtëpia me pretendimin se do të takojë një shok turk, pronar i një lokali në Hungari. Por në Atakëj, ndërkohë që ai e kishte fikur makinën dhe po priste brenda saj, gjithmonë sipas gazetës turke Hyrrijet, i është afruar një person dhe ka shtënë mbi të 4 herë.

Njëri nga plumbat ka përfunduar në zemrën e Omer Satin, i cili ka gjetur vdjekjen e menjëhershme. Policia turke ka mbërritur në vendngjarje dhe ka filluar menjëherë hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia është vënë në kërkim të personit, që ka kryer atentatin, dhe të shokut të biznesmenit 57-vjeçar, me të cilin kishte lënë për të takuar pasditen e së enjtes.

Sipas të përditshmes Hyrrijet, një nga pistat ku policia ka fokusuar hetimet e saj janë edhe marrëdhëniet që kishte Omer Satin jashtë Turqisë. Hurrijet thekson se Satin ishte ortak me disa shqiptarë në një rafineri nafte.

Pak kohë më parë, kjo rafineri ka marrë si ortak edhe një azerbajxhanas, i cili ka sjellë dhe pakënaqësi mes ortakëve shqiptarë. Hurrijet thekson se kompania e rafinerisë së naftës, ku bënte pjesë dhe Satin, ka patur humbje kohët e fundit dhe kjo gjë ka shtuar problemet mes tij dhe ortakëve shqiptarë.

Sipas të përditshmes turke, kjo marrëdhënie mund të jetë dhe një nga pistat e hetimit të policisë turke. Omer Satin ishte i martuar 2 herë dhe, nga të dyja martesat, kishte nga 2 vajza.

Top Channel