Të paktën 55 persona besohen të jenë mbytur, pas përmbysjes së varkës në brigjet e Somalisë, është bërë e ditur nga agjencia e refugjatëve të OKB-së.
UNHCR tha se varka e mbipopulluar hasi vështirësi menjëherë pasi u largua nga porti i Bosasso-s në veri-lindje të Somalisë. Varka, e cila besohet të kishte mbi të somalezë dhe etiopianë, ishte nisur drejt Jemenit.
OKB bëri të ditur se kjo përbën një nga ngjarjet me humbjet më të mëdha të jetëve, në gjirin Aden, që prej shkurtit 2011, kur 57 emigrantë somalezë u mbytën.
“23 trupa janë gjetur. Ndërsa 32 pasagjerët e mbetur konsiderohen të mbytur”, bëri të ditur UNHCR, e cila shtoi se të paktën 5 përsona i kanë mbijetuar aksidentit, i cili ndodhi ditën e martë.
“Pa dyshim, gjiri Aden është tashmë rruga vdekjeprurëse për njerëzit, që duan t’i largohen konflikteve, dhunës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut në këtë zonë të Afrikës” tha përfaqësuesi i UNHCR për Somalinë, Bruno Geddo.
Dhjetra mijëra njerëz nga kepi lindor i Afrikës kalojnë përmes këtij gjiri çdo vit. Agjencia bëri të ditur se ata, që ndërmarrin këto udhëtime të rrezikshme, shpesh herë përdorin varka të papërshtatshme për udhëtime në det, apo të tejmbushura, apo bien prè e kontrabandistëve të paskrupuj.
Top Channel