Një serfist britanik tregoi të premten për tmerrin e tij në të përditshmen “Daily Mail”, kur ndërsa po luante me dallgët në brigjet austraiane, pranë tij u shfaq një peshkaqen tigër.
33-vjeçari, i zhvendosur prej disa muajsh në Australi, ishte duke shijuar sërfin gjatë kohës së lirë, në një plazh pranë Përthit, në perëndim të kontinentit.
Papritmas, rreth 100 metra nga bregu, ai përfundoi në një zonë ku ndodheshin 13 peshkaqenë, të cilët po ushqeheshin me një delfin të ngordhur. Njëri prej tyre, një specie tejet e rrezikshme e peshkaqenit tigër iu vendos nga pas.
“Momentin që pashë një peshkaqen, mendova se më pushoi zemra. Ai doli si hije nga uji dhe kur i pashë pendën mbi shpinë, nuk mund të përshkruaj atë që ndieva. Mendova se kaq ishte jeta ime. Në një moment, peshkaqeni u fut sërisht në ujë dhe e pashë teksa bëhej gati të më sulmonte vertikalisht nga poshtë. Nëse kjo do të ndodhte, nuk kisha asnjë mënyrë për t’u mbrojtur”, tregoi tmerrin e tij Richards Wands.
Foto: Grupi i peshkaqeneve tiger i fotografuar nga bregu ne Perth
Në atë moment, ai mori një vendim të pazakontë. “U hodha në ujë dhe vendosa të përdorja serfin si armë, për të mbajtur larg peshkaqenin ose për të patur një mënyrë për ta goditur nëse do të më sulmonte. Ai nisi të rrotullohej rreth meje. Kisha përshtypjen se kërkonte vetëm të më hante një këmbë ose gjymtyrë, por e dija se nëse do të dilte gjak në ujë, isha i mbaruar dhe të gjithë peshkaqenët e tjerë do të më sulmonin njëkohësisht”.
Në një moment të pabesueshëm fati, një valë ere ngriti një dallgë të lartë, duke lejuar 33-vjeçarin që të fitonte forcë me sërfin e tij dhe të lundronte deri në breg.
Atje, ai mundi të lajmëronte rojen bregdetare, e cila urdhëroi sërfistët e tjeë të largoheshin nga deti dhe dërgoi patrulla në zonë, të cilat zbuluan edhe grupin e peshkaqenëve dhe numrin e tyre prej 13 të tillë.
Foto: Nje peshkaqen tiger, specia qe se bashku me peshkaqenin e bardhe, eshte me agresivja dhe e rrezikshmja ndaj njeriut
Peshkaqenët tigër, konsiderohen si një prej specieve më të rrezikshme të planetit, duke qenë peshkaqeni i dytë më agresiv ndaj njeriut, pas species së peshkaqenit të bardhë.
Specia që sulmoi serfistin ishte rreth dy metra e gjatë, një peshkaqen ende fëmijë, pasi në pjekurinë, peshkaqeni tigër arrin një gjatësi mesatare prej katër metrash.
Top Channel