Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Korea e Veriut arrestoi një shtetas amerikan për krime të paspecifikuara në datën 3 nëntor, raportoi Agjensia Shtetërore e Lajmeve (KCNA) ditën e premte.
Pae Jun Ho hyri në vend si një turist dhe dyshohet se mbi të rëndojnë akuzat e spiunazhit.
Të dhëna të publikuara në mediat koreanojugore tregojnë se koreo-amerikani punon në një kompani udhëtimesh dhe udhëtoi në veri për të shoqëruar një grup turistësh.
Në vitet e fundit, Peniani ka arrestuar disa shtetas amerikanë, midis të cilëve gazetarë dhe të krishterë të akuzuar për predikim. Megjithatë, të gjithë shtetasit janë liruar javë apo muaj pas arrestimit të tyre.
Sipas medias shtetërore, Pae Jun Ho akuzohet për vepra të ndryshme penale. “Në hetimet e kryera, provat tregojnë se ai kreu një krim ndaj Republikës Popullore Demokratike të Koresë. Ai pranoi krimin e tij”, shkruhej në raportimin e “KCNA”-së.
Uashingtoni nuk është prononcuar ende mbi këtë zhvillim.
Arrestimi i Jun Ho vjen ndërsa tensioni midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut është rritur si rrjedhojë e lëshimit të paautorizuar të një rakete me rreze të gjatë dhe sateliti në hapësirë, nga autoritetet e vendit komunist.
Korea e Veriut, një vend me 25 milionë banorë dhe një Prodhim të Brendshëm Bruto vetëm përafërsisht dy herë më të lartë se i Shqipërisë, konsiderohet si vendi më i militarizuar i botës, me një buxhet ku shpenzimet ushtarake zënë vendin kryesor, pavarësisht se disa milionë banorë janë të kërcënuar nga uria.
Sipas vlerësimeve të CIA-s, Korea e Veriut ka ushtrinë e katërt në botë për nga numri i forcave aktive dhe i armatimeve, si dhe flotën më të madhe të nëndetëse, ndonëse shumica e tyre të vjetëruara ose të prodhuara jashtë standarteve të luftës moderne brenda vendit.
Top Channel