Kinë-Japoni, rikthehet përballja për ishujt

21/12/2012 15:40

Tre anije kineze hynë në ujrat e diskutuar në Detin e Kinës Lindore, duke përshkallëzuar konfliktin me Japoninë mbi sovranitetin mbi shtatë miniushuj dhe ujrat kufizuese.

Mediat japoneze raportuan të premten se anijet kineze shpërfillën paralajmërimin e luftanijeve patrulluese japoneze, duke vazhduar gjithsesi kursin në zonën përreth ishujve Senkaku apo Diaoyu, siç njihet në Kinë.

Japonia dërgoi një notë zyrtare ankese tek autoritetet kineze.

Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arkipelagut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit.

Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.

Një incident i ngjashëm ndodhi një javë më parë mbi territorin e pretenduar edhe prej Tajvanit kur gjuajtës japonezë patrulluan mbi Senkakun, pasi një avion kinez hyri në zonë.

Gjatë dhjetorit, Kina parashtroi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një shpjegim të detajuar të të gjithë pretendimeve të saj territoriale mbi territorin.

Zona detare, e cila përbëhet nga grupi i ishujve “mikroskopikë”, ka fituar një rëndësi të veçantë pasi studimet e fundit treguan se në tokën nënujore ndodhen rezerva nafte dhe gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA