Itali, kryeministri Monti jep dorëheqjen

21/12/2012 19:50

Kryeministri i Italisë, Mario Monti, paraqiti pasditen e së premtes dorëheqjen e tij, duke mbajtur kështu premtimin që kishte dhënë më parë për largimin nga kreu i ekzekutivit pas kalimit të buxhetit të 2013-s.

Më parë gjatë ditës, Parlamenti Italian miratoi projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm me 309 vota pro dhe 55 kundër.

Ende nuk është e qartë nëse Monti do të paraqitet si kandidat në zgjedhjet e ardhshme. Diçka e tillë pritet të saktësohet gjatë një konference për shtyp që do të mbahet ditën e dielë.

Monti zëvendësoi kryeministrin Berlusconi në 2011-n, si pjesë e një qeverie teknike që mori drejtimin e vendit.

Megjithatë, vazhdimi i qeverisjes Monti u bë e pamundur në dhjetor, pasi partia e Berlusconit, “Il Popolo della Liberta” tërhoqi mbështetjen për kabinetin, duke kritikuar qëndrimin e kryeministrit ndaj krizës.

69-vjeçari, një ish-komisioner europian për Tregëtinë dhe Konkurrencën udhëhoqi në një vit qeverisje një program të ashpër shkurtimesh dhe rritje taksash për të reduktuar defiçitin kërcënues buxhetor të vendit.

Aktualisht, Italia ka një borxh ndër më të lartët në Europë, me 120% të vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Berlusconi, i cili ka qenë në tre raste të veçanta kryeministër i Italisë, është duke u përgatitur për fushatën e tij të gjashtë politike, për t’u kthyer në postin më të lartë të ekzekutivit.

Paqëndrueshmëria politike në Itali, vendin me ekonominë e tretë më të madhe në Eurozonë, ka ndikuar negativisht në bursat europiane dhe ka reduktuar besimin e investitorëve për daljen nga kriza ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA