“Trupat britanike në Afganistan kanë paguar një “çmim të lartë”, por përpjekjet e tyre kanë qenë të suksesshme”, ka bërë të ditur kryeministri David Cameron, gjatë një vizite para Krishtlindjeve në bazën e ushtarëve britanike atje.
“Ka patur më shumë se 400 të vdekur që prej 2001, por prezenca e Britanisë ka ndalur një numër të madh komplotesh terroriste”, tha ai. Kryeministri luajti futboll në tavolinë dhe mori pjesë gjatë një shërbimi “carol”, siç ndodh zakonisht në Britani në ditët para Krishtlindjeve, me ushtarët në provincën Helmand.
Numri i ushtarëve gati do të përgjysmohet në 5200 gjatë 2013-s, siç bëri të ditur ai më herë gjatë kësaj jave. Në vizitën e tij tradicionale tek ushtarët, Cameron vizitoi Camp Bastion dhe më pas udhëtoi me helikopter drejt bazës më të vogël operative, Camp Price, rreth 32 km larg të parit.
Të gjitha operacionet e NATO-s priten të përfundojnë në 2014-n, teksa përgjegjësia do t’i kalohet forcave afgane. Cameron sugjeroi se afganët po e fitojnë “aftësinë” për të marrë drejtimin e sigurisë së vendit të tyre.
“Kjo është një tërheqje, por e bazuar te suksesi dhe jo dështimi”, tha ai. “Kemi besim se kjo mund të bëhet, ndërkohë që po sigurohemi se Afganistani nuk do të rikthehet të bëhet një strehë e terrorizmit, gjë që përbën arsyen kryesore pse ne jemi në vijën e parë këtu”.
Më pas shtoi: “Kemi paguar një çmim shumë të madh, por mendoj se arsyeja e ardhjes këtu, e cila ishte të ndalnim Afganistanin të bëhej strehë e terrorizmit, ishte vendimi më i drejtë”.
Top Channel