Ushtari amerikan i akuzuar për vrasjen e 16 afganëve dhe plagosjen e 6 të tjerëve, mund të përballet me dënimin me vdekje, nëse shpallet fajtor, sipas Ushtrisw amerikane.
Robert Bales, kapter i stafit, do të përballet me një gjyq ushtarak për vrasje dhe akuzat për një sulm në mars, të ndodhur në dy fshatra në jug të Afganistanit. Nuk është vendosur ende data për gjykimin, i cili do të mbahet në bazën e përbashkët Leëis-McChordh në Washington.
Asnjë pjesëtar i shërbimit ushtarak në SHBA nuk është ekzekutuar në më shumë se 50 vitet e fundit. Kapteri Bales përballet me 16 akuza për vrasje dhe 6 akuza për vrasje në tentativë, ashtu sikurse dhe akuza për sulme dhe përdorimin e drogave dhe alkoolit, në krye të detyrës.
17 viktima ishin gra e fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin qëlluar në kokë. Prokurorët thanë se kapteri Bales la bazën e tij në provincën Kandahar, në jug të Afganistanit, orët e para të mëngjesit të 11 marsit.
Sipas tyre, ai hapi zjarr në një fshat, u rikthye në bazë dhe më pas shkoi sërish për të sulmuar një tjetër fshat fqinj.
Një hetim paraprak, gjatë javës së kaluar, bëri të ditur se Bales kishte “memorie të freskët” të asaj çfarë kishte ndodhur, siç është demostruar në deklaratat e bëra prej tij, pak orë pas incidentit. Prokurori ushtarak, major Rob Steele, tha se Bales ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij.
Top Channel