SHBA, sondazhi: 52 përqind kufizim armëve

20/12/2012 00:00

Për herë të parë në historinë e tyre, një mazhorancë e madhe e amerikanëve shprehen në favor të kufizimit të së drejtës për të mbajtur armë.

Sipas një sondazhi të ndërmarrë nga CNN, 52 përqind e amerikanëve janë pro këtyre kufizimeve, ndërsa 60 përqind e tyre, shprehen se duhen adobtuar ligje të ngjashme me ato të vendeve europiane, ku zotëruesi i një arme zjarri, jo domosdo është edhe pronar i saj.

Organizatorët e sondazhit thonë se masakra e Njutaunit është shkaku kryesor që pjesa më e madhe e amerikanëve, aq këmbëngulës në lirinë për të mbajtur armë, kanë ndryshuar mendje. Ata tashmë kërkojnë nisma dhe ndërgjegjësim nga qeveria dhe vetë shoqëria për të kufizuar këtë të drejtë.

Administrata Obama ka nisur punën për hartimin e reformës së nevojshme ligjore për më shumë kufizime të së drejtës për armë-mbajtje. Vetë presidenti Obama njoftoi ditën e mërkurë se zëvendësi i tij, Joe Biden do të jetë në krye të një task force që do t’i duhet të dalë me propozime konkrete për ndryshime ligjore brenda muajit janar.

Debati për armë-mbajtjen në SHBA është ringjallur pas masakrës në shkollën fillore Sandy Hook në Njutaun në Konektikat, ku gjetën vdekjen 28 persona, 20 prej të cilëve fëmijë nga 5 deri në 10 vjeç.

Top Channel