SHBA, shkurtimet e buxhetit

20/12/2012 00:00

Departamenti i Mbrojtjes është ai që mund të dëmtohet më shumë nga mosarritja e një marrëveshjeje nga ligjvënësit amerikanë dhe Shtëpia e Bardhë, ndaj Pentagoni po përgatitet për shkurtime të thella në buxhet.

Diskutimet atje janë në vazhdim e sipër, për të vendosur si mund të realizohet 10 për qind e shkurtimit të buxhetit për ushtrinë amerikane, që në dhjetëvjeçarin e ardhshëm kap vlerën e 500 miliardë dollarëve.

Shkurtimet pritet të jenë masive, thotë Zëri i Amerikës, 50 miliardë dollarë në vit për 10 vitet e ardhshme. Kjo është paralajmëruar edhe nga zyrtarë të lartë, përfshi shefin e Shtabit të Ushtrisë, gjeneralin Martin Dempsey, i cili thotë se pasojat e tyre ende nuk dihen me saktësi, por është e qartë se reduktimi i buxhetit për mbrojtjen rrezikon pakësimin e forcës dhe tkurrjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.

“Nga një forcë, fuqia e së cilës nuk vihet në dyshim, – shprehet Dempsey, – ne do të kalonim në një forcë me prani më të vogël në nivel global dhe me një paraqitje më të dobët kundrejt armiqve tanë. Kjo mund të ndryshojë aftësitë tona parandaluese dhe mund të rrisi shanset për konflikte”.

Prania ushtarake është pjesë qendrore e strategjisë amerikane, e cila kërkon rritjen e pranisë ushtarake në rajonin e Paqësorit, ku në rast të zbatimit të shkurtimeve, forcat detare do të duhej të ulnin numrin e anijeve, që operojnë në rajon. Fusha të tjera, që mund të preken nga shkurtimet janë në fushën e studimeve ushtarake, teknologjinë, pajisjet me armë dhe trajnimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB