Rusi, reduktohet dënimi për Khodorkovskyn

20/12/2012 16:20

Një gjykatë në Moskë shkurtoi kohëzgjatjen e burgimit për ish-miliarderin Mikhail Khodorkovsky dhe partnerin e tij Platon Lebedev me dy vjet, informoi Agjensia Ruse e Informacionit Ligjor ditën e enjte.

Në bazë të vendimit të ri, ata do të lirohen në 2014-n, pas realizimit të 11 vitesh burg dhe jo 13 siç ishte vendosur më parë.

Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur në Rusi dhe i konsideruar si një kundërshtar politik i Putin u burgos në vitin 2003 për evazion fiskal dhe mashtrim financiar.

Dënimi i tij jashtë Rusisë u konsiderua gjerësisht si politik dhe Moska është përballur me kritika ndërkombëtare për mënyrën se si ka trajtuar Khodorkovskyn.

Sipas tij, akuzat që u ngritën kishin si qëllim që të shkatërronin reputacionin e tij në mënyrë që t’i merrej kompania shumëmiliardëshe që kishte përfituar nga privatizimet e kryera në fillim të vitit 1990.

Kremlini gjithmonë i ka mohuar këto akuza.

Pas arrestimit dhe burgosjes së miliarderit, kompania e tij e naftës dhe gazit “Yukos” u përball me ngrirjen e aseteve dhe falimentimin e pashmagshëm, të imponuara nga autoritetet.

Shumica e aseteve të “Yukos” u shitën tek kompanitë shtetërore të naftës dhe gazit me çmim disa herë më të ulët se sa vlera reale.

Akuza të reja ndaj Navalny

Maratona e akuzave ndaj liderit të opozitës në Rusi, Alexei Navalny vijon me të tjera padi të ngritura kundër tij.

Në një njoftim në faqen e internetit të hetuesisë ruse, thuhet se Navalni dhe vëllai i tij, Oleg akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash.

Sipas hetuesve rusë, dy vëllezërit kanë mashtruar në deklarimin e të ardhurave përgjatë viteve 2008-20011, kohë kur punonin për llogari të një kompanie postare.

Nëse shpallet fajtor, Alexei Navalny dhe vëllai i tij Oleg, rrezikojnë nga 2 deri në 3 vite burg.

Vetë kreu i opozitës ruse i cilësoi akuzat si të pakuptimta. Navalny është i njohur si aktivist kundër korrupsionit dhe përgjatë tetorit u vu në krye të lëvizjes opozitare kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, që për opozitën ruse cilësohen të manipuluara.

Top Channel