4 emigrantë ilegalë humbin jetën në qendrat e imigracionit, numri i vdekjeve kap shifra rekord, 30 për vitin 2025 Presidentja e sapozgjedhur e Koresë së Jugut, Park Geun Hye ka folur për
një “rrezik serioz” që i kanoset sigurisë së vendit të saj nga Koreja e
Veriut.
Megjithatë, zonja Park ka bërë thirrje për dialog dhe mirëbesim. Duke folur pas një vizite për të nderuar liderët e fundit të Jugut, ajo ka ftuar të gjitha palët që të punojnë për “nisjen e një epoke të re” në Gadishullin Korean.
Zonja Park, një kandidate nga Partia Saenuri, mundi rivalin e saj liberal Moon Jae In në zgjedhjet e mbajtura ditën e mërkurë. Veriu nuk e ka komentuar ende fitoren e saj, por më herët i etiketoi drejtuesit e Partisë Saenuri si “manjakë”.
Një deklaratë e qeverisë së Penianit, e publikuar nga agjencia shtetërore KCNA, akuzonte partinë në fjalë për përshkallëzim të tensioneve në gadishull gjatë qëndrimit në pushtet të Lee Myung Bak.
“Të gjitha faktet provojnë se Partia Saenuri përbëhet nga një grup tradhtarësh që iu përulën turpit për të arritur ambicjet e tyre për pushtet”, thoshte deklarata.
Javën e kaluar Veriu lëshoi një raketë që vendosi një satelit në orbitë, një lëvizje kjo që u kritikua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar si një test për teknologjinë raketore.
Zonja Park, vajza e ish-liderit ushtarak Park Chung Hee, është presidentja e parë femër e Koresë së Jugut. Presidenti amerikan Barack Obama e uroi atë, duke e vlerësuar Korenë e Jugut si promovuesen e sigurisë në Azi.
Top Channel