Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
OKB po rrit presionin ndaj Izraelit për shkak të planeve të njoftuara prej tij për ndërtime në tokat palestineze, konkretisht në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor.
Sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përveç Shteteve të Bashkuara, kërkuan që planet për ndërtimet të pezullohen menjëherë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në ditët e fundit se qeveria e tij do të avancojë planet e kolonizimit.
SHBA mbrojnë Izraelin në OKB, por së fundmi Departamenti i Shtetit akuzoi shtetin hebre për veprime provokuese. Zëdhënësja Victoria Nuland deklaroi se aktiviteti i ndërtimit vë në rrezik planet për paqen.
Ditën e mërkurë, komiteti izraelit i planifikimeve dha miratimin e tij për ndërtimin e 2610 shtëpive në një zonë të re në Jeruzalemin Lindor, të quajtur Givat Hamatos, kolonia e parë që do të ndërtohet që prej 1997-ës.
Ndërkohë, janë shpallur edhe tenderat për ndërtime të shumta në Bregun Perëndimor, për një total prej 1 mijë shtëpish të reja.
Izraeli zaptoi Jeruzalemin Lindor në vitin 1967, gjatë luftës në Lindjen e Mesme, dhe e aneksoi atë si pjesë të kryeqytetit të tij, një lëvizje kjo që nuk është njohur kurrë nga ndërkombëtarët.
Palestinezët duan që zona të bëhet kryeqytet i shtetit që ata shpresojnë të instalojnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, edhe kjo tokë e zaptuar nga Izraeli.
Top Channel