Hollande njeh vuajtjet e shkaktuara nga Franca

20/12/2012 16:05

Presidenti i Francës, Francois Hollande, pranoi brutalitetin e kolonizimit francez të Algjerisë, por pa kërkuar falje për krimet e kryera.

Deklarata e Hollande erdhi të enjten, gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Algjerian, në kuadrin e vizitës së tij të parë në vend. “Njoh vuajtjet që koloznimi i ka shkaktuar popullit algjerian”, deklaroi Hollande, i cili gjithsesi shtoi se nuk kishte mbërritur në Algjer për t’u penduar apo kërkuar falje.

Disa mijëra algjerianë humbën jetën në luftën 7-vjeçare për pavarësi, të finalizuar me shkëputjen nga Franca në vitin 1962.

Ushtria franceze është akuzuar për realizimin e masakrave dhe përdorimin e torturave si një armë lufte, për të shtypur lëvizjen separatiste në atë kohë.

Hollande deklaroi gjithashtu se “për respekt të së vërtetës, padrejtësitë duhet të pranohen”. Por, ai shtoi se vizita në Algjeri hap një cikël të ri në marrëdhëniet midis dy shteteve, që “duhet të shohin drejt së ardhmes dhe jo të shkuarës”.

Paraardhësi i Hollande, presidenti Nicolas Sarkozy, gjithashtu pranoi padrejtësinë e sundimit 132-vjeçar të Francës, në vizitën e tij të parë që realizoi në Algjeri. Megjithatë, edhe ai theksoi se nuk do të kërkonte falje për këtë.

Rreth 700 mijë shtetas algjerianë jetojnë në Francë. Vizita e Hollande në vendin e Afrikës së Veriut u bë në kuadrin e festimeve të 50-vjetorit të pavarësisë.

Top Channel