Egjipti, kryeprokurori tërhiqet nga dorëheqja

20/12/2012 00:00

Kryeprokurori i egjiptian që ofroi dorëheqjen ditën e hënë, është tërhequr nga kërkesa e lënies së postit. Talat Ibrahim deklaroi se tashmë është në dorë të Ministrit të Drejtësisë të vendosë nëse duhet të qëndrojë apo jo në këtë detyrë.

Ibrahim u caktua kryeprokuror nga presidenti Mohamed Morsi gjatë muajit nëntor, pas shkarkimit të paraardhësit të tij me kritikat për mosbërjen e punës së duhur për dënimin e ish-zyrtarëve të regjimit të Mubarak që shtypën me dhunë protestat përgjatë revolucionit.

Ibrahim, pak ditë pas marrjes së detyrës u vendos në qendër të kritikave të opozitës siriane. Mijëra egjiptianë dolën në rrugët dhe sheshet e qyteteve për të kundërshtuar emërimin e tij dhe bashkë me të edhe dekretin e presidentit Morsi dhe projekt-kushtetutën e propozuar prej tij.

Më 22 nëntor, Morsi nxorri një dekret që zgjeronte pushtetin e tij duke zhveshur nga fuqitë të gjitha institucionet e tjera për të shfuqizuar vendimet e marra nga presidenti, ndërkohë që “armiqësitë” u përshkallëzuan pas propozimit të projekt-kushtetutës së re të vendit.

Nën presionin e opozitës egjiptiane, presidenti Morsi pranoi të tërheqë dekretin, por jo emërimin e kryeprokurorit Ibrahim, të cilit iu ngarkua detyra që të rishikonte edhe njëherë të gjitha cështjet gjyqësore ku të akuzuar ishin ish-zyrtarët e Mubarakut.

Ibrahim njoftoi vendimin e dorëheqjes një ditë para zgjedhjeve për kushtetutën e re të vendit, ku opozita, liberalët dhe mediat janë rreshtuar përballë Vëllazërisë Muslimane. Kjo e fundit mbështet nismën e Morsit, nga radhët e së cilës ai vetë ka dalë, ndërsa opozita dhe mediat e kundërshtojnë projekt-kushtetutën duke deklaruar se ajo nuk garanton liritë e minoriteteve e sidomos të grave.

Më 15 dhjetor u mbajt raundi i parë i referendumit për kushtetutën dhe rezultatet mbeten ende të pazbardhura. Procesi u bojkotua nga gjyqtarët supervizorë të tij, pjesë më e madhe e të cilëve mbështesin opozitën në qendrimin e saj se ligji i ri themeltar i vendit nuk garanton liri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB