Lëkura është një nga materialet e gjithëkohëshme që nuk del asnjëherë nga moda. Është e bukur, shik dhe praktike, gjë që shpjegon pse kjo veshje është aq popullore pavarësisht nga protestat e vazhdueshme të aktivistëve të të drejtave të kafshëve.
Mbetet veshja më e përshtatshme për stinën e ftohtë të dimrit dhe mbetet padyshim një nga trendet më të nxehta Vjeshtë-Dimër 2012- 2013.
Ajo është propozuar në pasarela nga një listë e gjatë stilistësh në ngjyra të ndryshme, por e zeza do të jetë thellësisht dominuese.
Këtë sezon te ri, “Versace”, që trend ose jo, gjithmonë e ka dashur lëkurën, nuk ka humbur asnjë rast për të na propozuar një mënyrë pak rok dhe sensual.
Edhe “Gucci” futet në stilin rocker dhe nxjerr në pasarelë femrat te veshura me modele shumë origjinale.
Materiali i lëkurës është përdorur për fustane, funde, pantallona, pallto, xhaketa, këpucë, çanta e aksesorë. Është e vështirë të gjesh një veshje që nuk do të ketë elemente lëkure këtë sezon.
Veshjet vijnë me një stil më “shik” dhe joshës. Femra e veshur me lëkurë do të prezantohet ndryshe. Romantike, me karakter të fortë, elegante dhe luks.
Vipat e kanë përqafuar lehtësisht këtë tendencë dhe janë fotografuar në rrugë por edhe në tapetin e kuq me këtë veshje. Pantallonat e lëkurës mbeten të preferuarat e tyre, mbi të gjitha nëse janë shumë të ngushta.
Femrat që kanë në garderobë veshje me lëkurë të zeze e dinë se është jo e lehtë për t’u kombinuar. Por, nëse vishet në mënyrën e duhur mund ta mbani pa droje gjatë ditës, në vendin e punës si edhe në raste ceremoniale.
Top Channel