Obama, pro ndalimit të armëve

19/12/2012 01:15

Përmes zëdhënësit të tij, presidenti amerikan Barack Obama shprehu mbështetjen për ndalimin e armëve të sulmit, pas ngjarjes së rëndë të Connecticut-it.

Jay Carney tha se shefi i Shtëpisë së Bardhë e përkrah në mënyrë aktive planin e një senatoreje demokrate, për paraqitjen e projektligjit mbi këtë temë në ditën e parë të punës së Kongresit.

Obama, sipas Carney, do të marrë parasysh edhe mundësinë e reduktimit të municioneve me kapacitet maksimal.

“Presidenti e mbështet synimin e senatores Feinstein, për ripërtëritjen e asaj pjese të legjislacionit, e cila do të vendoste sërish ndalimin e armëve të sulmit. Ai është gjithashtu në favor të ligjeve të tjera për armët, që përfshijnë edhe municionet e kapacitetit të lartë dhe kontrollet më të rrepta, ndaj atyre që blejnë armë”, tha Jay Carney, zëdhënës i Barack Obama-s.

Ligji për ndalimin e armëve të sulmit skadoi në 2004-n, e që atëherë nuk është ripërtërirë më. Kongresi nuk kishte treguar interes për këtë çështje. Por, Obama e pati përmendur mbështetjen e tij për legjislacionin në fjalë, edhe gjatë debatit të dytë televiziv përballë rivalit republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney, në 16 tetor.

“Po tentoj ta kthej në temën e një diskutimi më të gjerë, përpjekjen për reduktimin e dhunës në përgjithësi, rivendosja e ligjit për armët do të ishte pjesë e rëndësishme e saj”, deklaroi Obama në atë rast. “Ndaj bindjen, – shtoi ai, – se armët e bëra për ushtarët që shkojnë në luftë, nuk i përkasin rrugëve tona”.

Përpara se të niste puna në Wall Street, një firmë private amerikane deklaroi se do të shiste aksionet e saj në kompaninë prodhuese të pushkëve AR 15 Bushmaster, arma e përdorur nga Adam Lanza gjatë sulmit mbi shkollën fillore Sandy Hook.

Top Channel