SHBA, protestë kundër armëve

18/12/2012 23:30

Vetëm pak ditë pas masakrës në Newtown, mbështetësit e kontrollit të armëve protestuan në Washington DC, përpara zyrave të shoqatës kombëtare të armëve.

Tragjedia e Connecticut-it ka rindezur debatet e vjetra dhe thirrjet për ligje më të ashpra, kur vjen fjala tek armët. Dukshëm i emocionuar, Barack Obama tha, gjatë vizitës së tij në Newtown pas sulmit në shkollën fillore, që i kushtoi jetën 20 fëmijëve, se i gjithë kombi vajton bashkë me të afërmit e tyre.

Presidenti amerikan foli për ndryshim, por nuk sqaroi saktësisht çfarë mendon se duhet bërë. Në Washington DC, hidhërimi për ngjarjen e Newtown është kthyer në zemërim.

“Kjo është hera e parë, që unë dal në protestë për diçka, por ngjarja e Connecticut ishte një goditje e rëndë. Ai qytet ndodhet pranë vendlindjes sime, motra ime kishte qenë shoqe gjimnazi me njërën nga viktimat, Anne Marie Murphy, dhe mendoj se është koha që e gjithë kjo të marrë fund” tha një shtetas amerikan.

“Dua që armët të ndalohen. Është më e pakta, që mund të bëjmë pas kësaj fatkeqësie”, tha një tjetër protestues.

Por, lobi pro-armëve në Shtetet e Bashkuara është mjaft i fuqishëm dhe, me të drejtën e armëmbajtjes të shkruar në Kushtetutë, ata që favorizojnë armët zor se heqin dorë nga amendamenti i dytë i lirive themelore qytetare.

“Nëse do të kisha fëmijën tim në atë shkollë, do të doja që një i rritur i përgjegjshëm të ishte i armatosur. Në vend që të telefonohej policia dhe të pritej për mbërritjen e ekipeve të ndihmës së shpejtë pas 10-15 minutash, një person i armatosur mund ta zgjidhte situatën menjëherë. Shikoni të dhënat, shihni përreth çfarë ndodh, ato ligje nuk i bëjnë njerëzit më të sigurt nga akte të paparashikueshme çmendurie”, tha Erich Pratt, drejtor Komunikimi i Shoqatës për Armëmbajtje, SHBA.

Projektligji për kufizimin e armëve pritet t’i paraqitet Kongresit në janar. Përkrahësit e kontrollit të armëve thonë se beteja do të jetë e vështirë, por ata besojnë se situata aktuale është në favor të kauzës së tyre.

Gjermania, ndërkohë, ka vendosur që nga data 1 janar të ketë statistika më të sakta për armët. Një regjistër qendror do t’u lehtësojë autoriteteve gjermane kontrollin e armëve të zjarrit, që gjenden në duar private.

Aktualisht, në mbarë vendin qarkullojnë në mënyrë të ligjshme rreth 6 milionë armë. Me vendimin e krijimit të Regjistrit Kombëtar nga fillimi i muajit që vjen, Gjermania plotëson, përpara afatit, një kërkesë të BE-së, sipas së cilës të gjitha shtetet anëtare marrin përsipër, që deri në 2014, të ngrenë një regjistër kompjuterik për armët, që do të përditësohet vazhdimisht.

Top Channel