SHBA, debati për armëmbajtjen

18/12/2012 00:00

Dy senatorë të Kongresit Amerikan, dy emra të njohur si ndër përkrahësit më të flaktë të lirisë së armëmbajtjes, bënë thirrje për rishikim të ligjeve për armë-mbajtjen teksa në Njutaun familjarët, të afërmit dhe gjithë komuniteti i tronditur vendas po u jepte lamtumirën 26 viktimave të masakrës.

Senatorët demokratë, Mar Warner dhe Joe Manchin të konsideruar Shoqata Amerikane e Armëve (NRA, National Rifle Association) si aleatë të saj, deklaruan se ka ardhur kohë për veprime për të parandaluar të tilla tragjedi.

Ndërkohë të hënën presidenti Obama zhvilloi një takim me bashkëpunëtorë të ngushtë të kabinetit të tij për të shqyrtuar mundësitë se si mund të ndryshohet ligji i armëmbajtjes.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur edhe ato pak mistere që kanë mbuluar ngjarjen e rëndë. Masakra e Adam Lanzas, nisi në shtëpinë e tij me vrasjen e së ëmës vijoi me ekzekutimin nga një distancë e afërt të 20 fëmijëve dhe gjashtë të rriturve në shkollën fillore të Sandy Hook dhe përfundoi me vetëvrasjen e autorit.

Top Channel