Polici i Korçës po luante me pistoletë, kur u vetëvra

18/12/2012 00:00

“Për ty, unë vras edhe veten”. Kështu mësohet se është shprehur me shaka
polici i antitrafiqeve në Korçë, pak para se të fuste pistoletën në
gojë, teksa ishte në shoqërinë e dy vajzave, por nuk e dinte se në
folenë e pistoletës së punës i kishte mbetur një plumb, që i ka marrë
jetën.

Ai kishte hequr karikatorin, i cili kishte gjashtë fishekë, por kishte harruar të kontrollonte folenë e saj, duke mos e kontrolluar atë. Kjo bëhet e ditur nga burimet pranë grupit hetimor, duke treguar momentin fatkeq për 33-vjeçarin Dornil Milo, djali i nënprefektit të Korçës, Ilia Milo.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Korçës, i riu ndodhej në shoqërinë e dy vajzave dhe kur kanë dalë nga lokali po bënin shaka mes njëri-tjetrit.

Në ato momente, Dornili ka nxjerrë pistoletën dhe ka filluar të luajë me të. Sipas dëshmive të vajzave, që e shoqëronin, fillimisht, ai ka hequr karikatorin dhe më pas ka filluar të rrotullojë pistoletën në gisht, teksa qëndronte në sediljen e pasme të makinës së shokut të tij.

Duke bërë shaka me njërën nga dy vajzat, për t’i shprehur pëlqimin, ai ka deklaruar se do të bënte çdo gjë për të, madje, deri në vetëflijim. Pasi ka shprehur këto fjalë, mësohet se Milo ka drejtuar pistoletën në fytyrën e vet dhe ka shtypur këmbëzën e saj me qetësi. Në ato momente, krisma ka tmerruar shokët dhe dy vajzat e efektivit të policisë, ndërkohë që plumbi i ka shpërthyer në fytyrë.

Të pranishmit kanë mbetur të shtangur për një moment, por shumë shpejt ia kanë dhënë ulërimës, duke kërkuar ndihmë, megjithëse ka qenë shumë vonë për 33-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë në vend. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të këtij krimi. Në vendin e ngjarjes është gjetur pistoleta e bllokuar, ndërkohë që karikatori me gjashtë fishekë u gjet në sediljen, ku ishte ulur viktima. Para krimit, inspektori i antitrafikut mësohet të ketë dalë me një shishe birrë në dorë dhe është ndjekur nga shokët e tij.

Efektivi i vetëvrarë aksidentalisht është djali i Ilia Milos, aktualisht me detyrë nënprefekt i Korçës për zonën e Devollit. Më parë, babai i viktimës ka qenë edhe kryetar i Qarkut të Korçës, ndërkohë që djali tjetër i tij, i cili është i martuar punon në doganë. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi familjen e nënprefektit mësohet se ka solidarizuar shumë simpatizantë të Partisë Demokratike në zonë, si dhe të njohur të familjes, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohshme të jetës së 33-vjeçarit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel