
Mbretëresha Elizabeth u shndërrua në monarken e parë britanike që ulet në një tavolinë gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, gjë e cila nuk ndodhte në 100 vitet e fundit, që nga koha e mbretëreshës Victoria.
Kryeministri britanik, David Cameron priti në hyrje të Downing St monarken dhe më pas e prezantoi atë me anëtarët e tjerë të kabinetit të tij. Në fund, mbretëresha u ul në tavolinën e mbledhjeve të qeverisë britanike, mes kryeministrit Cameron dhe Ministrit të Jashtëm, William Hague.
Vizita e Elizabeth ishte në kuadër të “Diamond Jubilee” që familja mbretërore feston këtë vit. E në kuadër të këtij viti jubilar, kabineti qeveritar i Cameron mblodhi fondet nga xhepat personale të ministrave për t’i blerë një dhuratë monarkes.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Downing Street pasi falenderoi mbretëreshën për vizitën dhe interesimin e saj, thotë se me kontributin e të gjithë ministrave, u mblodh një shumë e caktuar parash për dhuratën e që do t’i blihet mbretëreshës.
Brenda këtij viti, mbretëresha ka vizituar dy herë Downing Street. Në vizitën e parë në muajin korrik ajo u takua me kryeministrin Cameron dhe ish-kryeministrat John Major, Tony Blair dhe George Gordon.
Top Channel