Laç, vetëvaret në lulishte 24-vjeçari

18/12/2012 00:00

Një 24-vjeçar ka zgjedhur lulishten në qendër të qytetit të Laçit për
t’u vetëvrarë, ndërkohë që motivi i këtij akti mendohet se është
depresioni.

Viktor Dajçi është gjetur nga punonjësit e një lokali, ndërkohë që mendohet se depresioni i shkaktuar nga vdekja e të atit, ka qenë motivi i aktit të vetëflijimit. Nga të dhënat e policisë mësohet se trupi i pajetë i të riut u gjet nga punonjësit e lokalit që ndodhet në qendër të lulishtes, të cilët sapo kishin shkuar në punë.

Të njëjtat burime shprehen se për realizimin e varjes së tij, 24-vjeçari kishte përdorur një kënd lojërash për fëmijë, që ishin të vendosura në lulishte. Pasi ishte ngjitur në të, ai ka lidhur litarin në pemë e më pas ka kryer aktin e vetëflijimit. Ndërkohë, familja e tij, që jetonte prej më shumë se pesë vitesh në Laç, nuk e kishte vënë re largimin nga banesa të 24-vjeçarit.

Varja në mes të lulishtes, pothuajse në qendër të qytetit, ka bërë që dhjetëra banorë të mblidhen rreth vendit të ngjarjes, duke mbetur të lemerisur nga pamja e llahtarshme, që ata kanë parë me sytë e tyre. Familjarët e Viktor Dajçit, të cilët ishin shpërngulur prej vitesh nga fshati Bazë i Burrelit drejt Laçit, kanë deklaruar se i riu kishte kohë që vuante nga depresioni.

Sipas tyre, depresioni i ka ardhur për shkak të pamundësisë për t’u punësuar në këtë qytet. Pas kryerjes së ekspertizës, trupi pajetë i të riut është dërguar nga policia në morgun e qytetit dhe më pas është lajmëruar familja e tij, e cila ka bërë të mundur tërheqjen dhe njohjen e kufomës. Nuk dihen arsyet se përse ka zgjedhur pikërisht qendrën e qytetit të Laçit për t’u vetëvarur 24-vjeçari, por nga burime të afërta të viktimës mësohet se edhe babai i 24-vjeçarit, para disa vitesh është gjetur i vetëvarur në afërsi të banesës së tij, në fshatin Bazë të Burrelit.

Top Channel