Ka çelur siparin në edicionin e tij të tetë festivali i poezisë Poeteka. Në tre netë, në galerinë Ten në kryeqytet, ashtu si çdo vit, por me një format të ndryshëm nga ata më parë, poetët, shkrimtarët, dashamirësit e letërsisë, së bashku me publikun e përzgjedhur, do të diskutojnë për procesin krijues, por edhe problematikat e hasura në shoqëri, të cilat janë të lidhura ngushtë me fjalën e shkruar.
Arian Leka, poet dhe drejtues i festivalit “Poeteka”, shprehet: “Cdo vit poeteka është ndryshe nga formati paraardhës. Ajo që mbetet është fjala dhe arti i shkruar. Këtë vit arti shoqërues është filmi dhe kemi ftuar kineastë të rinj shqiptarë t’i nënshtrohen një lloj kritike.”
Përveç shfaqjes së filmave nga studentët e Universitetit të Arteve, pjesë e projektit të këtij viti do të jenë edhe leximet nga vetë autorët të teksteve të tyre, performancat e ndryshme, si dhe promovime botimesh të reja.
Mbrëmja e parë ka përballur në diskutim shkrimtarët e njohur Bardhyl Londo, Visar Zhiti, Zija Cela e Fatos Kongoli, moderuar nga Alban Bala. Pjesë e eventit ka qenë edhe një performancë nga aktori Agron Biba, tituluar “Bukë e Shah”, ku janë ndërthurur interpretimi poetik me një bashkëbisedim simultan me publikun në lidhje me tema të rëndësishme si kufizimet në lirinë e fjalës.
Tema e natës së dytë do të jetë letërsia e penguar dhe e ndaluar e cila nuk arriti tek lexuesi i saj. Ndërsa në natën finale do të diskutohet rreth “Multikultit dhe feminizmit”.
Top Channel