
Rasti “Depardieu” rrezikon të vendosë në periudha të akullta marrëdhëniet mes Francës dhe Belgjikës, pas kritikave të fundit të Parisit që e cilësoi veprimin e aktorit për të lënë shtetësinë franceze dhe për të marrë atë belge si të turpshëm.
Brukseli reagoi menjëherë me anë të Ministrit të Jashtëm Didier Reynders i cili tha se vendi i tij është i gatshëm të shtrijë dorën duke ndihmuar të gjithë qytetarët francezë “azilantë fiskalë”.
“Parisi duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e pasojave që detyron shtetasit e tij të lënë vendin”, tha Ministri Reynders.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, në Francë do të hyjë në fuqi një ligj që rrit taksën mbi të ardhurat në 75% për ata që fitojnë mbi një milionë euro në vit, ndërsa në Belgjikë, kjo taksë është prej 50%.
”Nuk po pyes nëse vendimi im do të aprovohet apo jo, por më e pakta do të ishte të respektohesha. Shumë të tjerë përpara meje kanë vendosur të largohen nga Franca, por askush nuk është ofenduar ashtu si unë”, deklaroi Depardieu në “Le Journal du Dimanche”.
Aktori, i cili e konsideron veten një patriot, akuzoi qeverinë e presidentit Francois Hollande se po largon të gjithë talentin dhe trurin nga vendi. Sipas përllogaritjeve të Depardieu, ai i ka paguar shtetit 145 milionë euro, gjatë të gjithë jetës së tij.
Ndërkohë, gazeta franceze Le Figaro shkruan se të paktën 500 persona, pjesë e klasës së pasur franceze që preken nga ligji në fjalë kanë aplikuar dhe janë në pritje të marrjes së shtetësisë belge.
Top Channel