Obama: Duhet të mbrojmë fëmijët

17/12/2012 08:45

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, është shprehur se duhet bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët pas tragjedisë në Konektikat, ku një i ri hyri në një shkollë fillore duke vrarë 26 persona, mes të cilëve 20 fëmijë.

Obama tha që do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicionin e tij për të parandaluar një tragjedi tjetër të ngjashme.
Duke folur në Njutaun, presidenti amerikan deklaroi: “Kam ardhur këtu për t’ju ofruar dashurinë dhe lutjet e një kombi. Nuk jeni të vetëm në hidhërimin tuaj.”

Obama përsëriti thirrjen për veprime kundër krimeve me armë duke thënë se në javët e ardhshme ai do të përdorë çdo fuqi që ka në përpjekje për të parandaluar më shumë tragjedi të tilla.

“Nuk mund ta toleroj më këtë gjë. Duhet një ndryshim në mënyrë që këto tragjedi të mos përsëriten”, deklaroi Obama, i cili takoi familjarët e viktimave dhe punëtorët e shërbimeve të emergjencës gjatë vizitës së tij në zonë.

Të gjithë fëmijët e vrarë gjatë çmendurisë së 20-vjeçarit Adam Lanza
(8 djem dhe 12 vajza) ishin të moshës 6 dhe 7 vjeç, sipas listës zyrtare të viktimave që u publikua të dielën.

Top Channel