Heroinat e Sandy Hook

17/12/2012 23:30

Shumë përpara se tragjedia të ndodhte, drejtoresha Dawn Hochsprung ishte përpjekur të parandalonte një agresion në shkollën e saj, përmes masave të reja të sigurisë.

Mësuesit atje ishin udhëzuar si të reagonin në situata rreziku dhe praktikonin kyçjen nëpër dhoma në raste agresioni. Nëna e një nxënësi të kësaj shkolle nuk e kishte fshehur habinë e saj pas lajmit të kobshëm, pikërisht për faktin se Sandy Hook konsiderohej tepër e sigurt.

“Si dreqin ka mundur të hyjë brenda”, ishte reagimi i parë i saj. Në fakt, dera e shkollës ka qenë e mbyllur dhe ai e ka shpërthyer me forcë. Hochsprung dëgjoi zhurmën dhe, bashkë me psikologen Mary Sherlach e nëndrejtoreshën Natalie Hammond, vrapuan të shihnin ç’po ndodhte.

Tre gratë vepruan, si të ishin linja e parë e mbrojtjes për fëmijët, dhe e paguan shtrenjtë. Dy të parat vdiqën në vend, ndërsa Hammond u plagos.

Mësuesja 27-vjeçare Victoria Soto u përpoq t’i largonte nxënësit e saj nga dera e klasës. Kur Lanza hyri me forcë, 27-vjeçarja u hodh mbi të miturit, që t’i mbronte me trupin e saj, i cili u bë shoshë nga plumbat.

Një gjest i jashtëzakonshëm vetëflijimi; për asnjë çast mësuesja e re, thonë mediat, nuk hezitoi të mendonte për fëmijët e jo për veten. Një heroinë, ashtu si të tjerat, që vdiqën në atë shkollë mes përpjekjeve për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Anne Marie Murphy ishte një prej tyre. Me trupin e saj, Murphy ishte përpjekur të mbulonte fëmijet e mitur, por plumbat i kanë shpuar edhe ata tej përtej. 29-vjeçarja Rachel d’Avino punonte me fëmijët autik dhe i fejuari kishte ndërmend t’i propozonte për martesë mbrëmjen e Krishtlindjeve.

Lauren Rousseau, 30 vjeç, gjithë jetën kishte dashur të bëhej mësuese. Ajo kishte vetëm një muaj, që kish filluar punë në Sandy Hook, e po zëvendësonte një mësuese tjetër, e cila kishte marrë lejen e lindjes.

Kaitlin Roig, mësuese e klasës së parë, është një nga të mbijetuarit. Ajo i mbylli nxënësit në banjë dhe për gjysmë ore, apo më shumë, u përpoq me çdo kusht t’i qetësonte, duke i lutur të mos bënin asnjë zhurmë.

“Ishin të trembur dhe qanin” – rrëfen Roig, – “por druhesha se po të dilnin, do të vdisnin të gjithë”.

Barack Obama ia kishte rezervuar mësuesve të Sandy Hook një pjesë të fjalimit të tij në Newtown. “Ato reaguan ashtu siç ne të gjithë do të shpresonim të reagohej në rrethana të tilla të tmerrshme, me guxim dhe me dashuri, duke dhënë jetët e tyre për fëmijët që kishin në kujdestari”, tha presidenti.

Nuk do të jetë e lehtë as për mësuesit, që i mbijetuan tragjedisë. Të gjithë ata, thotë CNN, kanë parë e dëgjuar më shumë se ç’duhet. Edhe ushtarët me eksperiencë rrezikojnë trauma të përhershme, kur shohin të vritet një i mitur, mendoni, vazhdon gjigandi televiziv, ç’mund t’i ndodhë një njeriu të zakonshëm, që sheh të vdesin 20 fëmijë.

Top Channel