Depardieu heq dorë nga nënshtetësia franceze

17/12/2012 16:30

Aktori Gerard Depardieu vendosi që të dorëzojë shtetësinë e tij franceze, pasi kryeministri e kritikoi për zhvendosjen e tij në Belgjikë, me qëllim shmangien nga pagesa e taksave.

Në një letër të hapur publikuar në shtypin vendas, Depardieu fajësonte Parisin zyrtar për ndëshkimin e “suksesit, krijmatirisë dhe talentit”.

Një javë më parë, 63-vjeçari i mirënjohur lajmëroi se do të zhvendoste banesën e tij në qytezën belge të Neçinit, vetëm disa kilometra nga kufiri francez.

Kryeministri Jean-Marc Ayrault e cilësoi këtë vendim si “të turpshëm” disa ditë më pas.

Duke nisur nga viti i ardhshëm, në Francë do të hyjë në fuqi një ligj që rrit taksën mbi të ardhurat në 75% për ata që fitojnë mbi një milionë euro në vit, ndërsa në Belgjikë, kjo taksë është prej 50%.

”Nuk po pyes nëse vendimi im do të aprovohet apo jo, por më e pakta do të ishte të respektohesha. Shumë të tjerë përpara meje kanë vendosur të largohen nga Franca, por askush nuk është ofenduar ashtu si unë”, deklaroi Depardieu në “Le Journal du Dimanche”.

Aktori, i cili e konsideron veten një patriot, akuzoi qeverinë e presidentit Francois Hollande se po largon të gjithë talentin dhe trurin nga vendi.

Sipas përllogaritjeve të Depardieu, ai i ka paguar shtetit 145 milionë euro, gjatë të gjithë jetës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA